Tuesday, November 30, 2021
Home > Women Nutrition > Fatmir Mediu shet Berishën: Nuk e krijova unë Gërdecin, erdhi nga lart!

Fatmir Mediu shet Berishën: Nuk e krijova unë Gërdecin, erdhi nga lart!

Ka shumë gjasa që SPAK do t’i kërkojë leje Kuvendit për ta arrestuar deputetin e tij. Dhe pikërish për këtë, ish-ministri është zbrazur. Ky në fakt është lajmi, që ka mbi 60 minuta e s’po e kap askush…

Fatmir Mediu ka folur për herë të parë pasi Gjykata e Posaçme e Apelit ka rihapur hetimet për katastrofën e Gërdecit në 15 marsit 2008, ku humbën jetën 26 vetë e u plagosën mbi 200 persona.

Mediu, i cili ka dalë së bashku me avokatin e tij, ka bërë deklaratën më të rëndësishme që kur ka ndodhur ngjarja, ajo që quhet “deklarata e deklaratave”.

Ish-ministri i Mbrojtjes tha se Fabrika e Demontimit të Municioneve në Gërdec nuk u ngrit nga ai si ministër i Mbrojtjes, por nga strukturat më të larta të qeverisë dhe të ushtrisë.

Një qëndrim shumë i fortë, pasi për këtë aferë jo vetëm është përfolur ish-Kryeministri Sali Berisha, por edhe i biri Shkëlzeni, ngjarje për të cilën ka pasur një shkrim investigativ nga ‘New Yor Times’, një libër best seller dhe një film nga Hollywod, i cili bëri bujë në SHBA.

Përveç kundërshtimit ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe SPAK, Mediu theksoi se:

“Janë fakte të pakundërshtueshme se nuk kam pasur asnjë lidhje direkte me ata që kanë zhvilluar demontimin në Gërdec. Nuk ka asnjë presion nga ana e ministrit. Të gjitha aktet kanë qenë pjesë e konsultimit të plotë me të gjitha nivelet. Pranë ministrit nuk është prezantuar asnjë shqetësim. Jam hetuar unë dhe familja ime si asnjë politikan në Shqipëri”.

Më pas Mediu shtoi se urdhërat për fabrikën në Gërdec vinin drejtpërdrejt nga kryeministria përmes VKM-ve dhe se nëse nuk do t’i zbatonte atëherë do të quhej shpërdorim detyre.

“Nuk mendoj se do të kthehemi në kohën e drejtësisë popullore dhe cdo procedurë që niset me indicie paligjshmërie nuk prodhon asnjëherë drejtësi. Ju mendoni se Fatmir Mediu duhet të rrijë gjatë gjithë kohës i proceduar. Kam qenë katër herë në Gjykatën e Lartë dhe në Apel ka marrë formën e prerë” tha më tej deputeti i zgjedhur në listat e PD-së dhe kryetar i Partisë Republikane.

Fatmir Mediu tha se çështja kundër tij po përdoret politikisht.

“Kush është nga mbrapa apo përpara? Kjo histori ka para, mbrapa nën dhe mbi dhe interesa nga më të ndryshmet. Fakti që është shtruar vetëm në fushata elektorale tregon se ka interes politik, ka qëllime që nuk vijnë thjesht me ligjin” deklaroi ai.

Nga ana tjetër Mediu, tha se nuk i ishte shmangur hetimit, duke u mbrojtur me imunitetin, por që realisht këtu gabon rëndë.

Kjo pasi në vitin 2009, pas zgjedhjeve parlamentare të atij viti, kur Fatmir Mediu ishte zgjedhur deputet, Gjykata e Lartë e mbylli çështjen ndaj tij, me arsyetimin se ka imunitet.

Mediu thotë se avokatët e tij i kanë bërë të ditur Gjykatës së Lartë të mos e marrin për bazë këtë element, e në dispozitiv Gjykata thekson se nga mbrojtja është kërkuar ky fakt. Por vendimi bazohet pikërisht tek imuniteti, pra është mbyllur çështja e hapur në vitin 2008 vetëm për arsyen se Fatmir Mediu, i cili, nuk kishte imunitet kur u hapën hetimet pasi ja hoqi Kuvendi me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, u zgjodh sërish deputet, duke rifituar imunitetin. Gjykata e Lartë nuk e ka gjykuar Fatmir Mediun si aktor në rastin “Gërdeci” por është shprehur se nuk hetohet dot se ka imunitet.

Megjithatë, irritimi i ish-ministrit duket se ka ardhur në linjë me Sali Berishën, i cili nga Kamza ka kërcënuar hapur tre anëtarë të Gjykatës së Lartë, pikërisht pasi Fatmir Mediu ka dërguar në recurs vendimin e Gjykatës së Apelit për Gërdecin.

Juridikisht, Gjykata e Lartë mund ta marrë çështjen kur të dojë, por SPAK ka nisur hetimet, ngaqë vendimi i Apelit është i formës së prerë. E duke qenë se Fatmir Mediu është thirrur të flasë si i pandehur, e ka shumë gjasa që SPAK do t’i kërkojë leje Kuvendit për ta arrestuar deputetin e tij, ish-ministri është zbrazur. E këtu në fakt është lajmi, që ka mbi 60 minuta e s’po e kap askush…/Pamfleti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *