Saturday, December 4, 2021
Home > Women Nutrition > Erion Kristo: Sot shqiptarët duan më shumë Cristiano Ronaldon se atdheun

Erion Kristo: Sot shqiptarët duan më shumë Cristiano Ronaldon se atdheun

Monolog nga Erion Kristo

Shqiptarët krenohen për shqiptarinë, por pak e duan atdheun. Të duash atdheun do të thotë të duash atdhetarët, ata që ishin të parët.

Sot më shumë dashuri shfaqet për CR7 se sa për mendjet e arta që ruajtën gjuhën, kulturën, zakonet, që themeluan shtetin, që derdhën gjakun. Ne nuk kremtojmë përvjetorë të rëndësishëm që lidhen me figurat tona historike. Shteti nuk merr përsipër të përkujdeset për madhorët e kombit.

Studiuesit, historianët, antropologët, nuk merren fare me edukimin e njerëzve. Të duash atdheun tënd do të thotë të duash trashëgiminë kulturore. Të mos kujtohesh për vlerat e lahutës kur tjetri të merr meritat. Të duash mëmëdheun do të thotë të duash ata që banojnë në këtë dhe, nuk po themi shumë, por të paktën sa dashuria që kemi për të huajt.

Atdhedashuria është përmbajtje, por dhe formë. Ne duhet ta shpalosim atdhedashurinë, të mos kemi drojë. Ta gdhendim në gur, në mermer, në dru, në zemër, në lëkurë, e kudo tjetër simbolin. Simboli është përbashkues.

Fëmijët duhet të mësojnë me domosdo të tëra vargjet e himnit kombëtar, të blejmë nëpër panaire më tepër libra shqip, sepse ndihmojmë klasën intelektuale shqiptare; të konsumojmë më tepër produkte shqiptare; të nxisim përhapjen e recetave dhe përvojave më të mira të gatimit tradicional shqiptar;

të promovojmë veshjet tradicionale shqiptare jo vetëm nëpër dasma, por dhe nëpër ngjarje shkollore e komunitare; të mësojmë të gjithë më shumë të kërcejmë valle shqiptare të të gjitha trevave; të vizitojmë më shumë truallin shqiptar, dhe të njohim bukuritë e tij;

të shtohet bashkëpunimi mes shoqatave shqiptare kudo në botë; të përhapim sa më shumë legjenda e histori të vjetra të shqiptarëve, të valorizojmë të gjithë monumentet e natyrës shqiptare; nëpër tekstet shkollore të fëmijëve, të fusim sa më shumë elementë që nxisin atdhedashurinë; të kemi më shumë telenovela shqiptare; të mbrojmë çdo shqiptar kudo në botë; Dhe mbi të gjitha të mos i balsamosim shqiponjat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *