Saturday, December 4, 2021
Home > Women Nutrition > Pastërtia” e Rilindjes dhe “komploti ndërkombëtar” kundër tyre

Pastërtia” e Rilindjes dhe “komploti ndërkombëtar” kundër tyre

E mbani mend Kryeministrin Edi Rama kur fajësonte gjysmën e vendeve të BE-së për dështimin në hapjen e negociatave?
E mbani mend kur fajësoi Brukselin se na kishte izoluar në kohë pandemie, apo se BE nuk kishte menduar për shpërndarjen e vaksinave jashtë Unionit?

I mbani mend ministrat e tij sa herë që akuzoheshin e hidhnin fajin tjetërkund? Flisnin për skenarë dhe komplote që ndërkombëtarë, me apo pa pushtet, kishin nisur kundër tyre.

Kjo është filozofia që Rilindja injektoi ditë pas dite, skandal pas skandali, ndërsa hera herës akuzohej Partia Demokratike se qëndronte pas sulmeve.

Kjo ndodhi kur Bild publikoi përgjimet nga dosjet 339 dhe 184. Kjo ndodhi kur u denoncua përfshirja e Saimir Tahirit në trafik droge përmes Habilajve. Kjo ndodhi kur u denoncua përfshirja e Geron Xhafajt, vëllait të Fatmir Xhafajt, po në trafikun e drogës. Kjo ndodhi kur u denoncuan skandalet me tenderat e PPP, ndërsa ministra e ish-ministra janë kallezuar në SPAK. Kjo ndodhi kur u shembën banesat te ish-stacioni i Trenit, në Unazën e Re, apo godina e Teatrit Kombëtar.

Për të gjitha këto kishte një shfajësim: ata, pra akuzuesit, brenda apo jashtë vendit, po komplotonin kundër Rilindasve pastërtorë dhe të ndershëm.

Këtë gjë bëri edhe Kryebashkiaku Erion Veliaj duke reaguar ndaj disa përgjimeve të realizuara nga anti-mafia italiane.

“Do dëgjoni në këtë fushatë çudira. Do dalin që kemi qenë shokë në çerdhe me Eskobarin. Do dalin lloj-lloj çudirash. Përca dhe sundo ka qenë strategjia e Saliut. I funksionoi në vitet ‘90”, tha Veliaj, në reagimin e tij lidhur me përgjimet.

Pra, u ndoq e njëjta logjikë, ashtu sikundër kolegë të tij ministra apo ish-ministra, përfshi edhe shefin e tij politik, që sa herë dështojnë apo kapen në skandale, përfliten apo perceptohen si të prekshëm nga korrupsioni, shikojnë skenarë dhe komplote, pas të cilave qëndrojnë drejtues apo ish-drejtues të opozitës.

Nëse këta të fundit do të kishin kaq shumë akses sa për të diktuar media apo institucione ndërkombëtare ligjzbatuese ose jo, për të nxirë imazhin e “engjëjve” të Rilindjes, atëherë minimalisht do të kishin rrëzuar Edi Ramën nja 15 herë deri më sot dhe nuk do të provonin format ekstreme të protestave, me djegie mandatesh dhe bojkote zgjedhjesh.

Bashkia e Tiranës deklaronte se “kushdo që ndërton në Bashkinë e Tiranës ka një emër dhe mbiemër, kurse lejet e ndërtimit kanë dosje transparente për mënyrën e financimit. Dëshirat e mafias italiane për t’u futur në industrinë e ndërtimit janë dëshira të tyre dhe të PD-së. Ne nuk ndalojmë dëshira, por veprime konkrete! E vërteta është se asnjë leje e Bashkisë së Tiranës nuk është e ndikuar nga grupe interesash, të lidhura me biznese të paverifikueshme”.

Gjithsesi, për një moment le të besohet teza se çdo dështim, çdo akuzë e dyshim, për lidhje me grupe kriminale, mafioze apo për korrupsion, është një sajesë në kuadrin e komplotit, që do të ndikojë për fushatën e Rilindjes. Pra, nuk qëndron asnjë mundësi që bie fjala Kryebashkiaku të jetë një person që mund të jetë ndikuar për leje ndërtimi.

Pjesë të publikuara nga përgjimet e antimafies italiane kanë nxjerrë në pah atë, që ky vend shihet si një territor ku mund të korruptosh lehtë zyrtarë dhe të pastrosh para përmes fushave të ndryshme, ndërtime ose jo.

Nëse në Itali apo çdo vend tjetër, brenda apo jashtë BE-së, nga përgjime ose jo, është krijuar perceptimi apo dyshimi se Shqipëria është e ngjashme me Kalabrinë e viteve 1960, të paktën disa nga institucionet ligjzbatuese, agjensi apo jo, duhej të viheshin në lëvizje, minimalisht për të mbrojtur imazhin e një vendi që tenton Bashkimin Europian.

Kaq mund t´a bënte bie fjala Prokuroria, speciale ose jo, e cila mund të njoftonte se do të verifikojë çdo procedurë mbi lejet e ndërtimit apo pastrimin e parave, qoftë edhe me qëllim për t´i dhënë fund këtij komplotit të fundit ndërkombëtar kundër rilindasve.

Në ndihmë të tyre, mund të shfaqej edhe Kryeministri, me atë laboratorin sekret që verifikon autenticitetin e përgjimeve dhe, me këtë rast, i tregohej Botës se “Shqipëria është shkëmb graniti”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *