Saturday, November 27, 2021
Home > Women Nutrition > Bashkëpunimi i PS me trafikantët/ Si i dha leje minerare Gjiknuri një të dënuari

Bashkëpunimi i PS me trafikantët/ Si i dha leje minerare Gjiknuri një të dënuari

Damian Gjiknuri, në kohën që ishte ministër i Infrastrukturës në qeverinë “Rama 1” ka bashkëpunuar me persona me precedentë penalë, të cilëve u ka dhënë edhe tendera.

Sipas dokumenteve të zbuluara, Gjiknuri në vitin 2015 i ka dhënë leje për zonën minerare nr. 438/7 në Selenicë të Vlorës kompanisë “B&AD” shpk. Kompania, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, prej disa vitesh zotërohet 100 përqind nga Luan Saraçaj.

Pavarësisht ndryshimit të vogël në shkronjën e fundit të mbiemrit, pronari i kompanisë që zotëron lejen minerare, Luan Saraçi, është një prej të dënuarve në vitin 2006 për rrëmbimin e Klaudio Shehut, nipi i biznesmenit të njohur vlonjat, Sulo Shehu.

Kompania e Saraçit ka vendosur si vend-ushtrimi të aktivitetit të saj konkretisht: “Lagjja Transere, Karrierë zhavorri bituminoz, zona minerare nr.438/7”, për të cilën është pajisur me leje minerare nr.1753”. Në dhjetor 2020, saktësisht në të njëjtën vend, hap një adresë edhe kompania “Inerte Ekspres”, në pronësi të Mond Begos, një ish-i dënuar si anëtar i Bandës së Lushnjes dhe mik i deklaruar i numrit 2 të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në të dhënat e publikuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit, Bego ka shënuar “Lagjja Transere, Karrierë zhavorri bituminoz, zona minerare Nr. 438/7, me leje Nr. 1753 (kantier)”.

Pra, duket qartë që dy personazhe me të kaluar tejet problematike, e kanë gjetur rrugën e bashkëpunimit, tashmë në bazë të një leje zyrtare, të lëshuar nga autoritetet shtetërore.

Luan Saraçi është arrestuar në prill 2003, si një ndër personat e dyshuar për rrëmbimin e shtetasit Klaudio Shehu. Në kronikën policore të kohës thuhet se “i arrestuar është Luan Refit Saraçi, i datëlindjes 1969, lindur në fshatin Kote dhe banues në lagjen “24 Maji” të qytetit të Vlorës, me arsim të mesëm, i padënuar më parë, i dyshuar për veprat penale të “pengmarrjes” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 109 dhe 25 të Kodit Penal”.

Luan Saraçi është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit Vlorë në nëntor 2006. Vendimi i dënimit është konfirmuar edhe nga Gjykata e Lartë, në qershor 2007.

Në vendimin gjyqësor jepen detaje mbi rolin e Luan Saraçit, vëllait të tij Besnik Saraçi dhe një shtetasi tjetër, Elton Ismaili, në rrëmbimin e Klaudio Shehut. Të dënuarit, sipas vendimit të gjykatës, e rrëmbyen pengun e tyre, me qëllim që të përfitonin para nga xhaxhai i tij, Sulo Shehu, në atë kohë një prej biznesmenëve më të fuqishëm të Vlorës.

Pas kësaj të shkuare problematike, Luan Saraçi, tashmë me mbiemrin Saraçaj, shfaqet si biznesmen dhe pronar i kompanisë “B&AD” shpk, e cila ka përfituar leje minerare nga Damian Gjiknuri.

Po ashtu, edhe Mond Bego, ose Edmond Bego, i cili i është bashkuar Saraçit në zonën minerare në Selenicë me kompaninë e tij “Inerte Ekspres”, ka një të kaluar gjithashtu shumë problematike.

Sipas të dhënave të Operacionit Forca e Ligjit, Bego është i dënuar në Itali me 11 vjet burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge, heroinë dhe kokainë, si pjesë e bandës së Aldo Bares.

Vendimi nga drejtësia italiane është marrë më 26 prill 2007. Ai është dënuar fillimisht me 27 vjet e 9 muaj, i ulur në 18 vjet e 5 muaj, dhe së fundi si përfitues nga amnistia e 2009-ës është dënuar me 11 vjet heqje lirie.

Në përfundim, ka kryer diçka më tepër se 4 vjet burgim. Pasi i mbylli llogaritë me drejtësinë, Mond Bego shfaqet si biznesmen. Gjatë qeverisjes së Edi Ramës, kompanitë e tij shënojnë rritje të konsiderueshme në portofolin financiar.

Për Partinë Demokratike, Mond Bego është përfitues i parave publike, për shkak të lidhjeve të ngushta miqësore me Taulant Ballën, Sekretar i Përgjithshëm dhe kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Parlament. Taulant Balla e ka pranuar me krenari se ka lidhje të ngushta miqësore me Mond Begon, por ai ka mohuar kategorikisht se ka ndikuar që ish-anëtari i Bandës së Lushnjes të fitojë nga fondet publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *